Larg qytetit, në mal, nga i nxehti përvëlues në freskinë e lartësive, ndjekësit e shkollës verore të Fondacionit “ALSAR” u çuan në mesjavë në Dajt për të kaluar një ditë çlodhëse dhe argëtuese.
Shend e verë nga një muaj i kaluar duke dëgjuar mësime për moralin, besimin, edukatën, fëmijët përjetuan dhe gëzimin e piknikut të organizuar aq bukur në një peizazh mahnitës dhe mjedis çlodhës.
Lojërat, konkurset dhe dreka e shtruar në mal, në pllajë, ua bënë të lumtur ditën jetimëve. Ca luajtën futboll, vajzat i ndau rrjeta e volejbollit, të tjerë zgjodhën të luajnë shah.
Orët mes pemëve, gjelbërimit dhe ajrit të pastër shkuan shpejt, për të mbetur një kujtim i bukur i kësaj vere. E veçantë ishte për fëmijët e shkollës verore e enjtja e 8 korrikut!
Organizim thuajse i përvitshëm i “ALSAR”-it, shkolla verore u ndoq në një muaj nga pesëdhjetë djem e vajza, fëmijë jetimë nën kujdesin e fondacionit. Mësimi u ndërthur me aktivitete zbavitëse, dhënia e dijes me lojërat. Fëmijët mësuan dhe u argëtuan!
Pikniku në Dajt shënoi mbylljen e shkollës verore, të një tjetër projekti të realizuar me sukses. E hapur në kryeqytet për fëmijë jetimë, ajo u shërbeu atyre për shtimin e diturive, për mësimin e gjërave të reja, për kalimin sa më mirë të një pjese të stinës së verës.
Të tjera projekte e pasojnë shkollën verore. Shumë prej tyre janë për fëmijët jetimë!


