Fondacioni “ALSAR” mblodhi në sallën “Akernia” të Hotel Tiranës dhjetëra personalitete të politikës, të diplomacisë, intelektualë të njohur, në promovimin e librit të diplomatit Shaban Murati, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”.
Mes një pjesëmarrjeje të gjerë, aktivitetin e nderuan me praninë e tyre presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, dhe zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës, z. Enver Hoxhaj.
Një përmbledhje artikujsh dhe punimesh të njëzet viteve, që në kohën kur për Kosovën nisi të përvijohej pavarësia e saj, “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” është botuar nga Fondacioni “ALSAR”, organizues dhe i veprimtarisë promovuese.
I takoi kësisoj drejtuesit të këtij organizmi, z. Mehdi Gurra, t’u uronte mirëseardhjen të ftuarve dhe të mbante fjalën e hapjes. Në të ai nënvizoi faktin se ky ishte libri i tretë i diplomatit Shaban Murati i botuar nga Fondacioni “ALSAR”, duke shpjeguar në të njëjtën kohë se në qendër të këtij bashkëpunimi të ndërsjelltë gjendej çështja kombëtare, një shqetësim i përhershëm si i autorit, po ashtu dhe i fondacionit.
Z. Gurra u ndal pak, modestisht, te përmbajtja e librit, për të thënë më tutje dhe ca fjalë lavdëruese për personalitetin e diplomacisë, shkruesin e këtij libri. Në fund, ai premtoi se fondacioni do të vijojë të nxjerrë botime të tjera po kaq dinjitoze.
Interesante ishte fjala e zëvendëskryeministrit të Kosovës, z. Enver Hoxhaj, e përqendruar te libri duke e shfletuar atë teksa fliste dhe duke cituar pjesë prej saj. Qeveritari nga Kosova shprehu konsiderata të larta për autorin, teksa bëri të ditur se ishte një ndjekës i kahershëm dhe i vëmendshëm i shkrimeve të tij. Për të, analiza diplomatike e z. Shaban Murati ka qenë dhe është kurdoherë ndihmuese për ata që merren me marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pas tij do të fliste z. Maxhun Peka, një tjetër ambasador i njohur, i shfaqur së fundi dhe në ekrane me kujtimet e tij. Prof. dr, Ylber Sela, drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, nënvizoi në fjalën e tij se autori i librit shfaqet si njeri me diapazon të gjerë intelektual, si njohës shumë i mirë i rrethanave diplomatike europiane dhe botërore, që nxjerr gjykime të qarta lidhur me proceset me të cilat përballen shqiptarët, si dhe ndërton pikëpamje tepër të avancuara mbi të drejtën historike kombëtare në krijimin e shtetit të Kosovës.
Në podium do të ngjitej për të folur dhe z. Aleksandër Çipa, si kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë. Z. Shaban Murati pati mundësi po ashtu të shprehej mbi punën e tij si i fundit midis folësve.
Media e shkruar dhe vizive ishte dukshëm e pranishme në këtë aktivitet, e interesuar për t’ia përcjellë atë publikut.
Ky promovim pasoi një varg veprimtarish të ngjashme të Fondacionit “ALSAR”, si veç një e tillë mes atyre që priten të zhvillohen në të ardhmen e afërt.




