Pas dhjetë ditëve të mbushura me ligjërata për imamët, kursi i përgatitjes të tyre në Pogradec është mbyllur me ceremoninë e dhënies së certifikatave.
Në ceremoninë e zhvilluar në sallën e mbajtjes së ligjëratave kanë qenë të pranishëm imamët të cilët e ndoqën kursin, ligjëruesit dhe organizatorët e kësaj veprimtarie. Me praninë e tyre e nderuan ceremoninë kryetari i Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, dhe nënkryetari i organizatës sponsorizuese të veprimtarisë, Menar, z. Mehmet Dal.
Në fjalën hapëse të ceremonisë, z. Mehdi Gurra shprehu mirënjohjen për organizatën partnere në këtë veprimtari, falënderoi ligjëruesit dhe u uroi suksese ndjekësve të kursit përgatitor dhe zhvillimor.
Nënkryetari i Menar-it nënvizoi rëndësinë e këtij aktiviteti në përshëndetjen e tij. Ai foli për rolin dhe misionin e imamit në shoqëri, për përballjen me sfidat e kohës, dhe i nxiti pjesëmarrësit në kursin e sapopërfunduar ta kryejnë me zell dhe përgjegjshmëri detyrën e prijësit fetar.
Për imamët pjesëmarrës në kursin trajnues u dhanë certifikata në përfundim të ceremonisë. Bashkë me certifikatat, ata morën dhuratë dhe libra.


