Në kuadër të aktivitetit humanitar të Fondacionit ALSAR përgjatë Kurban Bajramit, shpërndarje e mishit të bagëtive të flijuara është bërë në Tiranë dhe në njësi administrative të saj, dedikuar për familje dhe anëtarë të disa shoqatave dhe të një komuniteti.
Falë kontributit të organizatës së ndihmave humanitare ndërkombëtare IHH me qendër në Holandë, janë prerë 368 kurbanë dhe kanë marrë prej mishit të tyre 1472 familje dhe individë.
Shpërndarje është kryer nga punonjësit e ALSAR-it dhe nga përfaqësues të IHHNL-së për familje në tre njësi administrative të Tiranës, në Petrelë, Krrabë dhe Bërzhitë.
Përfitues të tjerë nga ky mish kurbani kanë qenë jetimë të kryeqytetit. Për anëtarë nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, nga Shoqata për Integrim e Pensionistëve të Shqipërisë, dhe nga shoqata “Shpresa për jetën” është ndarë po ashtu një sasi e këtij kontributi humanitar.
Pako me mish kurbani u rezervuan dhe për romët, një komunitet në nevojë që përfiton në vazhdimësi nga ndihma humanitare e ALSAR-it.
Projekti i realizuar në bashkëveprim me IHHNL-në është një prej disa të tillëve të vënë në zbatim gjatë ditëve të festës në partneritet me organizata ndërkombëtare ndihme.