Në aktivitetin e organizuar në Shkodër, u realizua shpërndarja e karrocave me rrota, patericave dhe pajisjeve të tjera ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, pjestarë të Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë-Dega Shkodër.
Në ambientet e shkollës nëntë vjeçare ‘Ali Laçej’ ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Turqisë i akredituar në Tiranë z.Tayyar Kağan Atay, Kryetari i Fondacionit ‘Alsar’ z.Mehdi Gurra dhe Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës Rudin Beka.
Gjatë fjalës së mbajtur për shtresën e invalidëve të qytetit të Shkodrës Ambasadori i Turqisë z.Tayyar Kağan Atay u shpreh se : “Aktiviteti i sotëm është në vazhdën e aktiviteteve të shumta që po realizojnë për të mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Dhënia e këtyre karrocave sot shpresojmë që të jetë një ndihmë sadopak për të lehtësuar kushtet e jetesës tuaj. Shpresojmë që kjo ndihmë që kanë bërë vëllezërit tanë që banojnë në Zvicër, nëpërmjet nesh dhe realizmin e fondacionit ALSAR dhe me gjetjen e personave nga shoqata këtu në Shkodër, është për të lehtësuar kushtet jetesës tuaj”.
Ndërsa Kryetari i Fondacionit ‘Alsar’ z.Mehdi Gurra shprehu vullnetin e tij për të qëndruar në krah të individëve dhe shtresave në nevojë duke u shprehur se : “Kjo ndihmë është një ndihmë që vjen nga një organizim i turqve që jetojnë në Zvicër, me përkujdesjen e Ambasadës së Türkiyes dhe vetë ambasadorit.
Ne e realizojmë sot këtë projekt. Ka qenë një iniciativë e ambasadës së Türkiyes për realizimin e këtij projekti. Uroj që këto mjete të shërbejnë sadopak për ta lehtësuar jetën tuaj (personat me aftësi të kufizuara)”.
Në kuadër të projektit “Solidaritet dhe ndihmë për personat me aftësi të kufizuara” u shpërndanë 50 karroca, 50 mbajtëseve dhe 50 çifte patericash, duke mbështetur 150 persona me aftësi të kufizuara.


