Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Fondacionit ALSAR dhe Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë është shoqëruar menjëherë me një akt dhurimi.
Duke iu përmbajtur pikës së parë të angazhimit nga Fondacioni ALSAR në marrëveshje, është dhuruar për bibliotekën e universitetit një sasi e konsiderueshme titujsh nga Botimet ALSAR.
Prof. dr. Aurela Saliaj, rektore e universitetit, dhe z. Mehdi Gurra, kryetar i Fondacionit ALSAR, ishin të pranishëm në aktivitetin që pasuron bibliotekën e institucionit publik të arsimit të lartë në qytetin e Vlorës.
Për bibliotekën u dhuruan 125 tituj, libra me tematikë të larmishme. Botimet cilësore të ALSAR-it do t’u shërbejnë studentëve dhe pedagogëve të universitetit.
Nisja e bashkëpunimit dypalësh me këtë kontribut kulturor të ALSAR-it është një ogur i mbarë për vazhdimësinë dhe jetëgjatësinë e tij.
